Ata nuk po e shkelin Rezolutën, por vullnetin e popullit!
Këtyre ditëve më ka rastisur të lexoj shkrime në të cilat thuhej se ata që po shkojnë në Vjenë për të negociuar me palën serbe po e shkelin Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, të miratuar më 17 nëntor 2005. Kur u pat hartuar teksti i kësaj Rezolute, pra versioni fillestar, ka pasur reagim të përfaqësuesve të misionit ndërkombëtar në Kosovë. Vërtetë teksti i asaj Rezolute ka qenë i mrekullueshëm. Po të miratohej ai tekst, pas 45 minutave do të pasonte, siç rëndom ndodhë në raste të tilla, zhvlerësimi nga ana e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP-së). Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur sepse deputetët kosovarë – asgjë e jashtëzakonshme – lëshuan pe. Tekstit të Rezolutës që përbëhej prej 10 pikave, krejt në fund ja shtuan edhe këtë fjali: “Kjo Rezolutë paraqet bazën juridike dhe politike për platformën e Delegacionit të Kosovës për pavarësinë e Kosovës”. Falë kësaj fjalie, PSSP-ja, Soren Jessen Petersen, nuk e zhvlerësoi këtë Rezolutë me arsyetimin se kjo Rezolutë nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rrjedhimisht, Rezoluta paraqet bazën e Delegacionit të Kosovës në bisedime me palën serbe dhe, siç dihet, bisedimet nënkuptojnë kompromis, e kompromisi, po ashtu siç dihet, nënkupton lëshuarjen pe të të dyja palëve. Pra, nuk ka logjikë të thuhet se ata po e shkelin Rezolutën për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, sikurse qysh nuk ka logjikë të thuhet – sikur bënin më herët disa kundërshtarë të negociatave – se kishat dhe manastiret ortodokse do të fitojnë status eksterritorial dhe në të njëjtën kohë të thuhet se Kosova nuk do të jetë shtet i pavarur dhe sovran. Kjo për arsyen e thjeshtë se nëse Kosova nuk do të jetë e pavarur dhe sovrane, atëherë, nuk mund të ketë status eksterritorial për kishat dhe manastiret ortodokse serbe, por, mund të ketë zona me status të veçantë. Pra, ata që kanë shkuar në Vjenë nuk po e shkelin Rezolutën e Kuvendit për Kosovën shtet sovran e të pavarur, por, përkundrazi, po e zbatojnë atë dhe rrjedhimisht po e shkelin vullnetin e popullit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka deklaruar se ka shkuar në Vjenë për të argumentuar pavarësinë e Kosovës, e cila, sipas tij, është e panegociueshme dhe se takimi i Vjenës është një hap përpara drejt njohjes së pavarësisë. Nëse është e panegociueshme pavarësia, atëherë, pse Kryeministri i Kosovës ka shkuar në Vjenë kur dihet se atje duhet të bisedojë me palën serbe për statusin e ardhshëm (jo përfundimtar) të Kosovës dhe jo të bisedojë – siç po i mashtrojnë qytetarët – me bashkësinë ndërkombëtare sepse kjo e fundit është ndërmjetësues, e jo palë negociuese. Që do të thotë se nuk ka kuptim të negociosh me ndërmjetësuesin dhe jo me palën kundërshtare. Fundja, ndërmjetësuesi ka kuptim vetëm kur negociojnë dy e më shumë palë. Po ashtu, dihet fare mirë se për këto negociata janë disa parime të Grupit të Kontaktit, e të cilat thonë se zgjidhja e statusit të ardhshëm (jo përfundimtar) të Kosovës duhet të jetë në përputhje me Rezolutën 1244, e cila Rezolutë, bashkë me raportin e Kai Eides, është baza e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës. Këto negociata nuk po bëhen për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Sepse për t’u njohur Kosova së pari duhet të jetë. Është me rëndësi të thuhet se në të drejtën ndërkombëtare ekzistojnë dy teori për njohjen e shteteve: teoria konstituive dhe deklarative. Siç duket, Çeku është përkrahës i teorisë konstituive ngase ai po konsideron se shteti krijohet me aktin e njohjes. Ndërsa sipas teorisë deklarative shteti nuk krijohet me njohje, por me njohje vetëm konstatohet se shteti është krijuar. Pra, siç edhe thotë një autor i njohur i së drejtës ndërkombëtare, Colin Warbrick në kapitullin States and Recognition in International Law të librit International Law edituar nga Malcolm D. Evans, njohja s’është kriter legal i shtetësisë. Nuk mund të thuhet se Kosova është shtet pasi që ka territorin e caktuar dhe popullsinë. Sipas Konventës së Montevideos të vitit 1933 për të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve, shteti për të qenë subjekt në të drejtën ndërkombëtare, përveç territorit dhe popullsisë, duhet t’i plotësojë edhe dy kushte tjera: qeverinë përkatësisht pushtetin sovran dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera. Asnjërën nga këto dy kushte nuk e plotëson Kosova ngase pushteti sovran dhe marrëdhëniet me jashtë janë kompetencë e UNMIK-ut. E, siç dihet mirëfilli, UNMIK-u, në bazë të Rezolutës 1244, është një administratë e përkohshme për Kosovën nën të cilën populli i Kosovës mund të gëzojë autonomi përmbajtjesore në kuadër të RFJ-së… Kështu që, Kryeministri i Kosovës duhet ta ketë të qartë se për t’u njohur duhet të jemi.
Në anën tjetër, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në fjalimin e tij në Vjenë, veç tjerash ka deklaruar se pala kosovare mirëpret vazhdimin e pranisë së NATO-s në Kosovë. E saktë! Nuk ka asnjë dilemë se duhet të vazhdojë prania e NATO-s në Kosovë, por duhet të ndryshojë misioni i saj ngase po qe se futeni në faqen e internetit të NATO-s (http://www.nato.int/docu/facts/2000/kosovo.htm) dhe kërkoni informacione përkitazi për misionin e NATO-s në Kosovë, atëherë, që në fillim të përshkrimit të këtij misioni në Kosovë, do të hasim këtë fjali: Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka për qëllim që të krijoj një ambient të sigurt në provincën serbe. Për më shumë, edhe Henry Kissinger në librin e tij “Toward a diplomacy for the 21st century - Does America need a foreign policy?”, kur bën fjalë për misionin e trupave të NATO-s në Kosovë, mes tjerash, thotë: “Forcat e NATO-s në Kosovë janë në kuadër të mandatit të Kombeve të Bashkuara, dhe funksionojnë në kundërshtim me aspiratat e popullatës shqiptare” (faqe 270). Pra, tash ka shumë rëndësi se cili do të jetë statusi i forcave ndërkombëtare në Kosovë dhe me kë do të kenë marrëveshje këto forca për të qëndruar edhe më tutje në Kosovë. Pra, a do të vazhdoj të jetë valide edhe më “Marrëveshja e Kumanovës” e datës 10 qershor 1999 mes NATO-s dhe RFJ-së apo do të ketë marrëveshje mes NATO-s dhe palës kosovare (SOFA - Status of Forces Agreement), sikurse e kanë, ta zëmë, Shqipëria, Maqedonia…
Negociatorët kosovarë do të lëshojnë pe. Dëshmia më e mirë për këtë janë bisedimet e ashtuquajtura teknike. Dihet shumë mirë se para se të fillojnë të ashtuquajturat bisedime teknike për decentralizim dhe trashëgimi kulturore, përfaqësuesit kosovarë në Vjenë thoshin se nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë që të krijohen komuna të reja me shumicë serbe. Mirëpo, ata më pas lëshuan pe dhe pranuan që të krijohen 3 (+1) komuna me shumicë serbe. Por, meqenëqë pala serbe kishte kërkuar 19 komuna, atëherë, 3 (+1) komuna me shumicë serbe nuk ishte zgjidhje kompromisi dhe, rrjedhimisht, bashkësia ndërkombëtare bëri presion mbi palën kosovare që të jetë më zemërgjerë. Ata sërish lëshuan pe duke pranuar që të krijohen 5 (+1) komuna me shumicë serbe. Tani edhe pse ata po thonë se 5 (+1) komuna me shumicë serbe është vija e kuqe, do të pranojnë afërsisht 10 (+1) komuna me shumicë serbe (me arsyetimin se këtë po e bëjnë për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran). Këto komuna më pas, ashtu siç parashihet në raportin e Kai Eides, do të kenë lidhje të veçantë me Beogradin. Sidoqoftë, e rëndësishme është se Delegacioni i Kosovës ka arritur i pari në Vjenë dhe pas tij ka arritur Delegacioni i Serbisë. Kjo është edhe një dëshmi se Kosova do të jetë e pavarur dhe sovrane. Dhe, nuk ka rëndësi që ndërmjetësuesi për statusin e ardhshëm të Kosovës, Marti Ahtisari, pas takimit të nivelit më të lartë të dyja palëve ka kërkuar që palët të jenë “realiste dhe fleksibile për të arritur një progres substancial”.