2 Korriku
Sikur pothuajse çdo datë historike në Kosovë edhe 2 korriku 1990 është keqinterpretuar. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në fjalimin javor drejtuar qytetarëve të Kosovës, ka thënë se 2 korriku i vitit 1990 duhet dhe do të kujtohet si datë kur deputetët legjitimuan atë që kishin kërkuar rinia studentore dhe populli i Kosovës dhe është vlerësim për gjakun, vuajtjet dhe persekutimet e një gjenerate të tërë të njohur si gjenerata e ‘81-shit. Mund të thuhet kështu, nëse gjaku, vuajtjet, persekutimet e gjeneratës ‘81 janë bërë për Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë. Dhe, dorën në zemër, për Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë janë bërë. Sado që Hydajet Hyseni thotë se thellë në shpirt e kemi pasur bashkimin kombëtar, por, politika, sa për informatë, nuk bëhet nga fundi i barkut. Përderisa krahasimi me kërkesën e vitit ‘81 është i saktë, krahasimi me 4 korrikun e SHBA-ve, jo vetëm që është i pasaktë, por edhe është i dëmshëm. Një tjetër krahasim, që po ashtu nuk përkon fare me realitetin, erdhi nga Ramadan Kelmendi, ish-delegat i legjislaturës e cila shpalli 2 korrikun, tash deputet i Kuvendit aktual të Kosovës, i cili ka thënë se me aktin e 2 korrikut Kosova doli e para në aspektin politik nga kthetrat e RSFJ-së para Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi.
Pas suprimimit të autonomisë, kërkesa e lëvizjes kombëtare të viteve 90-të fillimisht ka qenë për republikë në kuadër të Jugosllavisë dhe kjo dëshmohet shumë mirë përveç në Deklaratën Kushtetuese dhe në Kushtetutën e Kaçanikut, edhe në Rezolutën që ka nxjerrë Kuvendi i Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990, ku ndër të tjera thuhet shumë qartë se Republika e Kosovës pret nga njësitë federale të Jugosllavisë që ta njohin sovranitetin e Republikës së Kosovës si anëtare e barabartë e Bashkësisë së Kombeve të Jugosllavisë. Ndërsa, më vonë ndryshon kërkesa: Kuvendi i Republikës së Kosovës më 22 shtator 1991 shpall Rezolutën për Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, por, për fat të keq, edhe pse kjo nuk është kushedi sa e dëmshme, me të drejtë pjesëmarrjes konstituive në lidhjen e shteteve – republikave sovrane (në Jugosllavi) mbi bazën e lirisë dhe barazisë së plotë të republikave – shteteve në lidhjen e tyre. Kjo rezolutë do të jetë bazë për mbajtjen e referendumit më 26-30 shtator 1991, në të cilin referendum kanë marrë pjesë 87.01%, e prej tyre, 99.87% kanë votuar në favor të Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Është me rëndësi të thuhet se lëvizja e asaj kohe atëbotë pat formuluar tri opsione: Opsioni i parë: Kosova e pavarur, garancia për shqiptarët e Maqedonisë që të njihen si komb konstituiv i shtetit dhe vetadministrim për shqiptarët në Mal të Zi dhe në Serbinë e Jugut. Ky opsion mbështetej në mosndryshueshmërinë e kufijve midis republikave të ish Jugosllavisë. Nëse këta kufij do të ndryshonin, atëherë kërkohej republika që do t’i bashkonte të gjithë shqiptarët e ish Jugosllavisë dhe ky ishte opsioni i dytë, ndërsa opsioni i tretë ishte: nëse ndryshojnë kufijtë ndërkombëtarë, bashkimi me Shqipërinë.
Sidoqoftë, me aktin e 2 korrikut të vitit 1990 Kosova nuk ka dalë nga kthetrat e Jugosllavisë, por ka dalë vetëm nga kthetrat e Serbisë dhe atë vetëm deklarativisht. Se Kosova nuk ka qenë në asnjë mënyrë para republikave tjera, e dëshmon më së miri mbajtja e referendumeve: Kroacia do ta mbajë referendumin më 19 maj 1991; Maqedonia do ta mbajë referendumin më 8 shtator 1991; Sllovenia do ta mbajë referendumin më 23 dhjetor 1990; Bosnjë Hercegovinë do ta mbajë referendumin 28 shkurt dhe 1 mars 1992, kurse Kosova, pothuajse e fundit (vetëm para BH-së) do të mbajë referendumin, pra, siç u tha edhe më sipër, më 26-30 shtator 1991. Akti i 2 korrikut të vitit 1990 jo vetëm që po keqinterpretohet, por edhe po përvetësohet. Ta zëmë, Kolë Berisha, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në fjalën e tij në ceremoninë mortore për Presidentin e ndjerë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, mes tjerash, ka thënë se “… Kosova e humbi nismëtarin e Deklaratës Kushtetuese, Kushtetutës së Kaçanikut…” (shih: Koha Ditore, 27 janar 2006, faqe 10). Në fakt, këto janë dy akte të rëndësishme, të cilat i ka mbështetur dr. Rugova dhe lëvizja që ka kryesuar ai, por nuk i ka nisur, e aq më pak hartuar dhe marrë vendim për shpalljen, gjegjësisht miratimin e tyre. Këtë e thotë edhe njëri ndër themeluesit e LDK-së, akademik Mehmet Kraja, në librin e tij ‘Vitet e humbura’. Për më shumë, këtë e pranon edhe vetë lideri i LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, në një intervistë dhënë Rilindjes, të datës 26 gusht 1990 (kjo intervistë është e botuar edhe në librin “Nyja shqiptare – fjalë për fjalë” të autorit Mehmet Emërllahu, faqe 87-107), ku thotë se Deklaratën Kushtetuese e bënë këto asociacionet tjera - ka aluduar në ASHAK dhe Kuvendin e Kosovës - dhe kjo aspak nuk prishë punë, ngase strategjia e LDK-së ka qenë dhe është që secili asociacion të punojë në mënyrë autonome… Pra, LDK-ja vetëm i ka përkrahur këto akte dhe kjo mund të dëshmohet edhe me gazetën e përditshme ‘Rilindja’ të datës 3 korrik 1990, ku LDK-ja përmes një komunikate të përbashkët me Partinë Fshatare përkrahin vendimet e Kuvendit të Kosovës.
Shumë nga republikat e RSFJ-së nuk patën reaguar ndaj deklarimit të gjendjes emergjente në Kosovë në fund të shkurtit të vitit 1989 dhe ndaj ndryshimeve kushtetuese e lirisht mund të thuhet se kryesia kolektive federale nuk ka qenë asgjë më shumë se sa asistente ekzekutive e Milosheviqit. Reagimi i vetëm pat ardhur nga Sllovenia. Liderët sllovenë, si nga pozita ashtu edhe nga opozita (e formuar për herë të parë në territorin e ish Jugosllavisë) u patën mbledhur në një takim solidarizues në fund të shkurtit 1989 në Lubjanë për gjendjen e shqiptarëve të Kosovës që jetonin nën gjendjen emergjente. Pra në shkurt të vitit 1989 në Slloveni kemi pasur pozitë dhe opozitë dhe kjo e mbështet më së miri deklaratën naive të Ramadan Kelmendit se Kosova në aspektin politik ka dalë e para nga kthetrat e RSFJ-së. Për më shumë, në prill të vitit 1989, sllovenët kanë zgjedhur anëtarin e tyre për në Kryesinë Federale, Janez Drnovsek, në zgjedhje të drejtpërdrejta. Ky ka qenë një hap i paprecedan për një vend komunist. Hapi i ardhshëm në këtë proces të demokratizimit të Sllovenisë ka qenë ‘Karta Themelore e Sllovenisë’ e qershorit të vitit 1989 e cila hapte rrugën për reformat kushtetuese të Sllovenisë (shtator 1989). Këto reforma i garantonin Republikës së Sllovenisë të drejtën për mbrojtjen nga tendencat centraliste serbe të Millosheviqit dhe ushtrisë jugosllave. Është kjo kartë dhe ndryshimet e mëvonshme kushtetuese që pasuan ekspozimin e karakterit të vërtetë liberal të kërkesës sllovene për vetëvendosje. Sllovenët nuk janë dorëzuar para këtij presioni dhe me 27 shtator 1991 parlamenti i tyre ka votuar për amendamentet e propozuara, të cilat i garantonin Republikës së Sllovenisë më shumë mbrojtje dhe liri aksioni vis-à-vis Serbisë dhe institucioneve federale. Njëjtë para Kosovës kanë qenë edhe republikat tjera të RSFJ-së. Prandaj, edhe jemi ku jemi.