Veton Surroi, “Fluturimi i vetëm i Azem Berishës për në Kështjellë”, Koha, Prishtinë, 2005
Do të ishte shumë më lehtë të shkruash për këtë libër, siç e thotë edhe Tim Judah në parathënie të tij, po të ishte ky libër roman apo po të ishte një analizë e thjeshtë politike. Libri “Fluturimi i vetëm i Azem Berishës për në Kështjellë” i autorit Veton Surroi, siç dihet, ka të bëjë me rrjedhën e negociatave përkitazi me statusin e Kosovës, pra, në këtë libër autori ka parashikuar se si do të rrjedhin ngjarjet dhe cili do të jetë, sipas tij, statusi i Kosovës. Libri ka 161 faqe dhe përbëhet nga 29 kapituj.
Veton Surroi thotë se Marti Ahtisaari, ndërmjetësues ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës, do të dëgjojë në Prishtinë se për pavarësinë nuk do të negociohet, e në Beograd se ata janë të gatshëm të negociojnë për çdo gjë, pos për pavarësi të Kosovës. Mirëpo, një gjë nuk është e qartë këtu: Pse delegacioni i Kosovës po pranon të negociojë me Serbinë nëse pavarësia është e panegociueshme?! Ata thonë se po negociojnë me Serbinë për gjendjen e minoritetit serb në Kosovën e pavarur dhe sovrane. Kjo do të ishte kështu vetëm pasi që Kosova të jetë bërë e pavarur dhe sovrane. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse pandershmëri në raport me qytetarin e Kosovës. Kjo të kujton atë margaritarin e famshëm të politikanëve kosovarë që thonë: “Pavarësia është e pashmangshme!”, dhe, në të njëjtën kohë, thonë: “Ne angazhohemi për pavarësi”. Kjo nuk ka logjikë sepse nëse pavarësia është e pashmangshme, atëherë, nuk kemi pse të angazhohemi për të. Politikanët duhet të angazhohen për proceset që janë të shmangshme. Negociatat pashmangshëm nënkuptojnë kompromis, e kompromisi - sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe - është marrëveshje që arrijnë dy palë kundërshtare duke i bërë lëshime njëra-tjetrës, pajtim me lëshime (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, faqe 856-857).
Sipas autorit të këtij libri, njëri nga parimet e Grupit të Kontaktit është se do të sigurohet prania ndërkombëtare në Kosovë edhe pas marrëveshjes së statusit. Mirëpo, tash ka shumë rëndësi se cili do të jetë statusi i forcave ndërkombëtare në Kosovë dhe me kë do të kenë marrëveshje këto forca për të qëndruar edhe më tutje në Kosovë. Pra, a do të vazhdoj të jetë valide edhe më “Marrëveshja e Kumanovës” e datës 10 qershor 1999 mes NATO-s dhe RFJ-së apo do të ketë marrëveshje mes NATO-s dhe palës kosovare (SOFA - Status of Forces Agreement), sikurse e kanë, ta zëmë, Shqipëria, Maqedonia… Surroi në këtë libër sikur thotë se bashkësia ndërkombëtare në këmbim të pavarësisë së Kosovës do t’i ofrojë Serbisë integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike, mirëpo, për Serbinë, gjithnjë sipas Surroit, kjo do të jetë fillimisht e pamjaftueshme dhe se Serbia “nuk do ta shes territorin e vet për një Marrëveshje Stabilizim- Asociimi”. (faqe 37). Këtu duhet thënë se njëra nga pikat e Grupit të Kontaktit bën fjalë për procesin e stabilizim – asociimit si dhe të integrimit të rajonit në institucionet euro-atlantike, pra bëhet fjalë për integrimin regjional e jo politik të Kosovës në strukturat evropiane (kujto “Evropën e Regjioneve”)… Kjo është e konfirmuar edhe më herët, e, posaçërisht prej Samitit të Selanikut.
Po ashtu, siç edhe e vë në dukje autori, BE-ja duhet të marrë rolin passtatusor në Kosovë, pra do të kemi një komisar evropian që do të ketë pushtet të pakontestueshëm për policinë, drejtësinë dhe minoritetet. Dhe kjo thuhet fare qartë në Raportin e Eides. Nuk ka asnjë dilemë se ky raport, i miratuar si dokument i Këshillit të Sigurimit, paraqet – me dije qoftë bashkë me Rezolutën 1244 - bazën e negociatave mes palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin ndërkombëtar për statusin e ardhshëm të Kosovës. Pra, për statusin e ardhshëm të Kosovës, jo për statusin final apo përfundimtar. Në tërë raportin e Eides nuk thuhet askund statusi përfundimtar, por vetëm statusi i ardhshëm dhe kjo ka qenë njëra nga kërkesat e palës serbe që në raport të Eides të thuhet statusi i ardhshëm e jo përfundimtar. Bile-bile, pas publikimit të këtij raporti, Ministri i Punëve të Jashtme të Unionit Serbi-Mali i Zi, Vuk Drashkoviq, ka pasur një takim në Beograd me Kai Eiden dhe e ka falënderuar atë për përfshirjen e të gjitha vërejtjeve të palës serbe në raport. Kështu që, rrjedhimisht, është e pasaktë ajo që thotë Surroi se kriza e Kosovës, tashmë është duke hyrë në fazën e vet finale, të përcaktimit të statusit të përhershëm të saj (faqe 57). Pra, zgjidhja e statusit do të jetë e ardhshme dhe jo përfundimtare dhe ky është indikatori më i mirë se zgjidhja nuk do të jetë në përputhje me vullnetin e popullit për shtet të pavarur dhe sovran, pra, do të kemi subjektivitet të kufizuar ndërkombëtar. Do të na thonë se kjo zgjidhje nuk është përfundimtare, por e përkohshme dhe pas disa viteve sërish do të kemi konferencë ndërkombëtare për Kosovën ku do ta fitoni subjektivitetin e plotë ndërkombëtar.
Sipas autorit të këtij libri fundi i procesit negociator duhet të jetë një shtet demokratik funksional. Kaq. Ai nuk na shpjegon se ç’është, në të vërtetë, shteti demokratik funksional! Për më shumë, vullneti i shprehur i popullit është që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Pa dyshim se autori i këtij libri ka të drejtë kur thotë se për shkak të veprimeve të palës kosovare (më shumë kanë menduar për pompat e benzinës, e dyqanet dhe bizneset që do të kontrollojnë sesa për vendosjen e shtetit) bashkësia ndërkombëtare do të jetë përgjegjëse edhe më tutje në disa segmente kyçe. Por, sipas mendimit tim, nuk ka të drejtë kur thotë se ndërkombëtarët për fundin e luftës dhe për hartimin e Rezolutës 1244 nuk kanë biseduar me palën kosovare sepse ajo nuk ishte kund. Ndërkombëtarët për fundin e luftës kanë biseduar me atë që kanë luftuar (RFJ-në), pra me palën kundërshtare dhe jo edhe me palën kosovare sepse kjo e fundit në Rambuje pat vendosur që nuk është palë, pra nuk është subjekt, por objekt, ndërsa për Rezolutën 1244 ndërkombëtarët nuk kanë pasur nevojë të bisedojmë fare sepse pala kosovare e pat pranuar dokumentin e Rambujesë (Rezoluta 1244 dhe Marrëveshja e Rambujesë në esencë janë identike) dhe rrjedhimisht ata kanë biseduar (dokumentin bazë të Rezolutës 1244, Marrëveshjen mes Millosheviqit dhe Ahtisaarit-Chernomerdynit) vetëm me palën serbe sepse pala serbe e pat refuzuar dokumentin e Rambujesë. Po ashtu, duhet thënë se është e pasaktë ajo që pretendon Surroi se në këto bisedime me palën serbe do të bisedohet për dëmet e shkaktuara në luftë.
Surroi është fare i vetëdijshëm se bashkësia ndërkombëtare nuk do ta përkrahë palën kosovare për atë që quhet sovranitet i plotë (faqe 90). Por, po ashtu, ai është i mendimit se juridikisht më nuk do të kemi lidhje me Serbinë, pra do të bëhemi të pavarur, por një pjesë të sovranitetit do ta mbajë bashkësia ndërkombëtare. Ashiqare Kosova do të ketë edhe më mision ndërkombëtar, por tash jo të Kombeve të Bashkuara, por të Unionit Evropian, pra do të kemi një përfaqësues të lartë të BE-së që do të ketë fuqi gati si të përfaqësuesit të lartë në Bosnjë Hercegovinë. Ndërsa, në veri të Kosovës një mision të Kombeve të Bashkuara, kurse, komunat me shumicë serbe, të cilat do të kenë kompetenca në fushat si arsimi, kultura, rinia, sporti, policia, mediat… do të kenë lidhje të posaçme, sipas raportit të Kai Eides, me Beogradin. Kosova do të jetë shtet, por, çështja është se çfarë shteti do të jetë. Shtet sovran dhe i pavarur gjë që është edhe vullneti i popullit të Kosovës apo do të jetë shtet funksional demokratik (shtet vasal). Krejt çështja është se do të kemi apo jo ulëse në OKB, e, sipas të gjitha gjasave nuk do të kemi. Sidoqoftë, duhet të presim fundin e vitit 2006 ose edhe fillimin e vitit 2007 për të parë nëse prognoza e Veton Surroit është e saktë apo jo.