Gjuha e unifikuar shqipe, domosdoshmëri!!!

December 12th, 2007

Shkruan: Kushtrim Sheremeti (Aktor) 

 Qysh nga krijimi i njerëzimit, njerëzit kanë filluar të kenë një nevojë të hatashme për komunikim. Fillimisht, ata kanë filluar të komunikojnë përmes lëvizjeve, pastaj tingujve, vizatimeve e deri në fund kur e zbuluan fjalën ose gjuhën e tyre.  Me kalimin e kohës dhe me krijimin e kombeve,  u krijuan shumë gjuhë të ndryshme. Dikur njerëzit për shkak të hapjes së terreneve dhe mundësive të udhëtimeve e bashkëpunimeve në mes të popujve të ndryshëm, filluan edhe të zbulojnë gjuhë të cilat do të mund të ishin universale si ajo Esperando, e cila si tentativë nuk u arrit po që të njëjtën ide e zëvendësoi në mënyrë shumë spontane gjuha angleze.
  

E di se me ketë shpjegim  nuk e zbulova Amerikën,  por vetëm desha ta filloj udhëtimin tim të shkurtër  drejt shpjegimit të asaj që  quhet gjuhë  e unifikuar dhe nevojës që ne  kemi për të!!!   

Viteve të fundit në Kosovë ka disa zëra të zhurmshëm që përpos idesë “origjinale” për një komb të ri të ashtuquajtur “Kosovar”, kanë hedhur edhe idenë (gjithashtu “origjinale”) për një gjuhë të re të ashtuquajtur  “Kosovarce” e cila do të ishte një përzierje e dialektit geg të gjuhës shqipe si dhe të folmes së rrugës diku në disa skaje të Prishtinës. Pra, me fjalë të tjera, gjithmonë simbas këtyre “ekspertëve”, ky kombi i ri do ta ketë dhe gjuhën e tij, gjithashtu të re. Në dukje të parë, nëse flasim për diçka të re do të ishte shumë e qëlluar, sepse do të ishte absurde nëse do të ndërtoje një automobil të ri dhe t’i vendosje ulëse të vjetra.  Por a është kombi – automobil, e aq më  shumë  a është gjuha – ulëse? Kjo është temë  për tu diskutuar!!! 

 Pastaj këta ekspertë e duan “gjuhën e nënës” dhe japin fakte se nënat tona na kanë mësuar të flasim këtë gjuhë dhe jo në gjuhë letrare prandaj edhe ne duhet ta kemi këtë “gjuhë”?!! Në rregull shumë, fakt interesant!!! Po paramendojeni rastin që dikush nga ne ta ketë nënën shurdhmemece, atëherë ata persona do të duhet të flisnin ekskluzivisht me gjuhën e shenjave dhe kurrë mos ta pranonin fjalën si mjet komunikimi?!!    

Dikush nga këta “ideatorë” mund të thotë se jam njeri i frustruar me ide patriotike e besa edhe pseudo patriotike (kështu  kam dëgjuar nga këta “ekspertë”  t’i thërrasin njerëzit që ndajnë të njëjtin mendim me mua!!!), por nëse distancohemi nga ndjenjat kombëtare, patriotike etj. dhe flasim me gjuhën e interesit, atëherë do të bindemi se ne shqiptarët kemi nevojë të tmerrshme për unifikim edhe më të madh shpirtëror e gjuhësor, e pse jo dhe territorial (kjo e fundit është temë që nuk dua ta prek tash).        

Gjithmonë do të flas në vetën e parë dhe me një gjuhë të thjeshtë e të pakomplikuar për shkak se shpresoj të më kuptojnë (apo mem kuptue, sic do të thonin këta ekspertët, e ju paramendojeni ta shkruani këtë fjalë)  më lehtë dhe ata që e kundërshtojnë teorinë të cilën unë po mundohem ta mbroj: Unë jam aktor. Zanati im është të luaj në teatër dhe film. Për ta realizuar një film duhen, po e zëmë me një përllogaritje të thjeshtë rreth 1 milion Euro. Por nëse investohen sot në një biznes (e filmi është biznes i shtrenjtë) një shumë e tillë e parave, ajo nënkupton që së paku dyfishi i saj duhet të jetë fitim. Në rastin më ideal nëse ai film shfaqet në të gjitha qytetet e Kosovës, me një fushatë të madhe mediale etj, shanset janë po e zëmë, të fitohen 1.5 milion euro nga të hyrat e biletave. Dhe nëse ky film shfaqet edhe në Shqipërinë administrative ka mundësi t’i grumbullojë dhe (gjithmonë po supozojmë shifra) 1.5 milion euro, çka nënkupton se nga një investim 1 milionësh do të fitohen 3 milion e jo vetëm 1.5 milion. Po të paramendojmë që ta shfaqim këtë film edhe në Maqedoni e në Mal të Zi, shuma do të jetë edhe më e madhe. Por ka një kusht për ti fituar këto të holla (përpos cilësisë artistike kuptohet). Pjesa tjetër e popullit shqiptar duhet ta kuptojnë se çfarë po flitet në mënyrë që të vijnë në kinema dhe të jenë të gatshëm të paguajnë 3 euro për ta shikuar filmin tim. Raste konkrete të dështimit janë disa emisione televizive nga Kosova e Shqipëria që nuk kanë fituar ndonjë popullaritet të madh andej e këndej kufirit, edhe pse janë investuar shuma të mëdha parash, sepse kanë qenë të realizuara në një gjuhë provinciale të disa rretheve të Kosovës e Shqipërisë. Duke vazhduar me shembuj konkret e jo “abstrakt” si kjo puna e filmit (sepse për momentin te hyrat 3 milionëshe nga një film, fatkeqsisht është Mision i Pamundur) këngëtarët nga Prishtina e Tirana apo dhe ndonjë qytet tjetër, vetëm për shkak të gjuhës së njëjtë, e posacërisht të kuptueshme kanë fituar një popullaritet dhe treg të hatashëm në më shumë se 6 milion njerëz (përfshirë dhe shqiptarët e Maqedonisë e Malit të Zi) që është numër shumëfish më i madh sesa 2 milion shqiptarët e Kosovës apo 3 milion të Shqipërisë.     

Pastaj, nëse kthehemi tek aspekti patriotik (nuk është turp të jesh patriot, përkundrazi është krenari) si do të duhej ta quajnë gjuhën e tyre shqiptarët e Maqedonisë e Malit të Zi?!! Sipas kësaj teorie të këtyre “ekspertëve”, ata do të duhej që gjuhën e tyre ta quanin maqedonisht apo malazezisht?!! Jam shumë i sigurt se edhe njerëzit që jetojnë në Gjakovë, Pejë apo në Drenicë e Llap do të ofendoheshin, sepse ata do të kishin një “gjuhë” tjetër (gjithmonë simbas teorisë së “ekspertëve”)!!!   

Unë besoj shumë se në vend të tentativave së panevojshme për ndryshimin e gjuhës shqipe, shqiptarët do të mblidhen dhe të diskutojnë për një bashkim edhe më të madh sesa e kishin deri tani. Kosova së shpejti do të bëhet shtet dhe do ta ketë dhe flamurin shtetëror. Shpresoj se pas një kohe jo fort të gjatë dhe Shqipëria ta ketë një flamur tjetër shtetror i cili do të vendosej nëpër zyra përkrah atij kombëtar në mënyrë që flamuri shqiptar t’i përkasë të gjithë shqiptarëve që kanë punuar e luftuar, e një numër i madh edhe vdekur vetëm e vetëm për atë flamur dhe këtë gjuhë.  Do të duhej të mblidheshin dhe t’i ratifikojnë dhe tekstet mësimore, posacërisht Abetaren dhe Historinë, të cilat do të duhej të mësoheshin gjithandej njësoj.    

Jam shumë i sigurt se tentativat e këtyre “ekspertëve” nuk do të kenë sukses, por nëse larg qoftë ndodh një gjë e tillë, unë menjëherë do t’i bashkohem atij grupi të cilët edhe më herët kanë thënë se do ta shpallin veten e tyre “minoritet shqiptar në mes të kosovarëve shumicë” e pastaj shpresoj se do të kemi dhe ulëse të rezervuara në parlamentin e Kosovës.