Categorized | Kyesore-Featured

Një vit, 711 delikte

Swiss Albanians

Si po e tërheqin vëmendjen e opinionit zviceran banditët shqiptarë? Një raport nga gjykatat e Zvicrës

Enver Robelli

Duket se prindërve shqiptarë u janë harxhuar emrat. Dikur emra të popullarizuar kanë qenë Agim dhe Blerim, tani mund të takoni djem, të cilët nuk ndihen mirë kur e tregojnë emrin. Për shembull: Labirint! Mendimi i parë që të vjen kur dëgjon këtë emër është: këtij i paska humbur udha në oborr! Ose: Vullkan! Kur dëgjon këtë emër mendja të shkon te vullkani Eyjafjallaökull në Islandë, i cili së fundi volli lavë e pluhur dhe bllokoi komunikacionin ajror pothuaj në mbarë Evropën. Eyjafjallaökull – një toponim që po e shqiptove shpejt mund të ta thyejë gjuhën dhe s’të mbetet gjë tjetër veçse të shkosh te mjeku e ta futësh në gjips këtë organ të mishtë në gojën e njeriut.
Një vullkan tjetër, Vullkan F., shqiptar nga Kosova, tërhoqi vëmendjen e gjyqësisë zvicerane këto ditë. Kjo është edhe tema e këtij teksti: shqiptarët para gjykatave zvicerane. Vullkan F. duket se në Zvicër bën një jetë monotone. Ndryshe nuk mund të shpjegohet veprimi i tij në një ditë dhjetori të vitit 2009 në stacionin e trenit në Zürich. Vullkani u lajmërua në stacionin e policisë dhe njoftoi se sapo ishte kontrolluar nga policët, të cilët atij i paskëshin marrë tre mijë franga pa i lëshuar dëshmi. Ky rrëfim do të tingëllonte i besueshëm sikur ngjarja të kishte ndodhur diku në Evropën Juglindore, ta zëmë në Bullgari, Serbi, Mal të Zi apo Shqipëri. T’i marrë policia e Zvicrës dikujt të holla pa asnjë dëshmi me shkrim? Disi e çuditshme. Megjithatë, pas njoftimit të Vullkan F. policët filluan hetimet. Një kontroll i hollësishëm dhe shikimi i incizimeve të kamerave mbikëqyrëse tregoi se në vendin dhe në kohën që pretendonte të jetë ndaluar Vullkani nga policia – në atë pjesë të stacionit të trenit nuk ishte kryer asnjë kontroll dhe s’kishte qenë asnjë patrullë. Doli se Vullkani kishte gënjyer. Së paku kështu mendon drejtësia zvicerane, e cila kërkon që për këtë rrenë ai të ndëshkohet me një gjobë prej 4500 franga (rreth 3182 euro).

„Shpuesi i dritareve“

Gjatë vitit 2009 në kantonin e Zürich-ut janë kryer gjithsejtë 33‘958 delikte. Prej tyre 2046 sish i kanë kryer një turk dhe dy shqiptarë, njëri nga Kosova, tjetri nga Shqipëria. Turku është 29-vjeçar, i varur nga droga, mjeshtër për thyerjen e veturave. Ai kishte vjedhur para dhe gjësende nga veturat në vlerë prej 218 mijë franga, kurse dëmi që kishte shkaktuar arrinte në 686 mijë franga. Ky turk kishte kryer 762 delikte gjatë një viti! Pas tij – në vendin e dytë – renditet një shqiptar. Mes viteve 2006-2009 ai kishte vepruar në pesë kantone të Zvicrës, duke hyrë natën nëpër banesa e shtëpia. Në mesin e viktimave ai njihej si „shpuesi i dritareve“, sepse ishte specialist për hapjen e penxhereve. Ky shqiptar qëndronte ilegalisht në Zvicër; policia e arrestoi atë pas njoftimeve nga popullsia. Ai kishte kryer 711 delikte, vlera e gjësendeve të vjedhura arrinte në 1,7 milionë franga, dëmi që kishte shkaktuar: 332 mijë franga! I treti në listën e keqbërësve është një kosovar. Ai ishte anëtar i një bande plaçkitësish. Gjatë orgjive plaçkitëse ai dhe shokët e tij kishin vjedhur gjësende në vlerë prej 1,3 milionë franga dhe kishin shkaktuar dëm material në vlerë prej 257 mijë franga.
Në hall nga disa shqiptarë është edhe një diskotekë e njohur, e cila shërben si vendgrumbullim i shqiptarëve prej vitesh. Rrahje, të shtëna me armë dhe delikte të tjera, të cilat ndodhin kryesisht jashtë diskotekës, janë duke i shkaktuar shqetësime edhe autoriteteve zvicerane. Së fundi një shqiptar nga Kosova u dënua me 18 muaj heqje lirie. Më 31 janar 2009 ai kishte shkuar në qytezën R. afër Zürich-ut pasi vëllai i tij i kishte thënë se sigurimi i diskotekës s’e kishte lënë të hyjë brenda. I pajisur me revole vëllai i ardhur në ndihmë ishte përpjekur të futet me dhunë në lokal dhe kishte shtënë tri herë me revole – kundër reklamës së diskotekës, kundër një mbulese alumini dhe njëherë në tokë. Pastaj keqbërësi kishte ikur, ishte ndalur te një pompë benzine, ku e kishte hedhur armën dhe kishte vazhduar rrugën. Policia e arrestoi po atë natë.

Invalidi rrenacak

Vëmendjen e opinionit e tërhoqi edhe një kosovar i moshës 32-vjeçare. Ai kishte arritur që brenda pak vitesh të marrë 330 mijë franga në emër të pensionit invalidor. Para mjekëve ai luante në mënyrë të përsosur rolin e një pacienti shurdhmemec dhe apatik. Në jetën private ai, ndërkaq, ishte anëtar i një bande plaçkitësish, e cila kishte lënë gjurmët në shumë delikte në Zvicër. Invalidi rrenacak dhe plaçkitësi i vërtetë u dënua me tre vite e gjysmë burg. Për të plotësuar pasqyrën e mërzitshme ja edhe një lajm i publikuar para disa ditësh në mediet zvicerane: „Të hënën pak para orës 19:00 hetues të policisë kantonale vëzhguan në (fshatin) Regensdorf dorëzimin e një sasie droge. Ata arrestuan përkohësisht pranuesit, pastaj burgosën edhe shtatë meshkuj të moshës 22 deri 36-vjeçare“. Policia njofton se të gjithë ishin shqiptarë dhe kosovarë, pesë prej tyre qëndronin ilegalisht, në banesën e tyre u gjetën 200 gramë heroinë, 200 gramë substancë për tëhollimin e drogës dhe disa mijëra franga.

Copyright: E.R. & “Koha Ditore”, Prishtinë

Popularity: 1% [?]

1 Comments For This Post

  1. blablabla Says:

    ai njihej si „shpuesi i dritareve“, sepse ishte specialist për hapjen e penxhereve hahahahahhah

Leave a Reply

  • Popular
  • Latest
  • Comments
  • Tags
  • Subscribe
Advertise Here

Our Flickr Photos - See all photos

Morcheeba Concert in Prishtina-134

Morcheeba Concert in Prishtina-133

Morcheeba Concert in Prishtina-132

Morcheeba Concert in Prishtina-131

Morcheeba Concert in Prishtina-130

Morcheeba Concert in Prishtina-129

Morcheeba Concert in Prishtina-128

Morcheeba Concert in Prishtina-127

Morcheeba Concert in Prishtina-126

Morcheeba Concert in Prishtina-125

Morcheeba Concert in Prishtina-124

Morcheeba Concert in Prishtina-123