Sot në ora 15:00 njësitet speciale të Policisë së Kosovës ndërhynë dhunshëm në zyren qendrore të Levizjes VETËVENDOSJE! dhe me këtë rast arrestuan 7 aktivistë të Lëvizjes në mesin e të cilëve edhe Albin Kurtin. Aktivistët e tjerë të arrestuar janë: Frashër Krasniqi, Salih Zyba, Vlorian Molliqaj, Nderim Matoshi dhe Faton Zeka. Aktivistët e arrestuar janë rrahur brutalisht në stacionin policor kur ishin me duar të lidhura, dhe nga këto rrahje kanë pësuar lëndime serioze, si frakturë të kafkës dhe lëndim të qafës.
Arrestimi erdhi pas konferencës së sotme për shtyp kur Lëvizja VETËVENDOSJE! bëri publik vendimin e vet për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Në këtë konferencë Albin Kurti tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ketë pengesa në rrugëtimin e saj. Policia e Kosovës, dhe urdhërdhënësit e tyre nga politika e Kosovës por edhe ajo ndërkombëtare u përkujdesën që t’i tregojnë popullit se cilat do të jenë pengesat. Ato do të jenë pengesa politike të ushtruara nga aparatet institucionale të dhunës.
Policia e Kosovës është shndërruar në polici kundër VETËVENDOSJE!-s. Ata asnjëherë nuk intervenuan për të arrestuar kriminelë të luftës nga policia dhe ushtria serbe të cilët vazhdojnë të sillen lirshëm nëpër Kosovë; asnjëherë nuk tentuan ta arrestojnë madje asnjë pjesëtar të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë; në pjesën veriore vazhdimisht rrezikohen fizikisht shqiptarët dhe policia nuk duket gjëkundi. Ata asnjëherë nuk reaguan kundër policëve rumun të cilët vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn më 10 shkurt 2007; atyre as që u shkon mendja t’i arrestojnë shefat e korrupsionit e krimit të organizuar në Kosovë. Ata janë aty vetëm kur i urdhërojnë ta rrahin, keqtrajtojnë e arrestojnë Lëvizjes VETËVENDOSJE! Policia e Kosovës nuk e lufton krimin e organizuar por organizimin e popullit. Se kështu e kërkojnë shefat e tyre: Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi, Yves de Kermabon, Pieter Feith.
Popularity: 1% [?]




















