Categorized | Kyesore-Featured

Betejat mbi bar

mandela

Në katër javët e ardhshme botën e pret një luftë. Kjo luftë do të zhvillohet në fushën e futbollit. Në bazë të përmbajtjes së himneve, të cilat do t’i këndojnë lojtarët dhe shikuesit nëpër stadiume, kafeteri dhe dhoma dite, lehtë krijohet përshtypja se retorika e përgjakshme është pjesë e futbollit. Të shpresojmë të mos jetë ashtu gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut

Enver Robelli

Kampionati i sivjetmë botëror i futbollit pritet të hapet në praninë e Nelson Mandelës, presidentit të parë zezak të Afrikës së Jugut. Ai është një njeri i paqes, një figurë që nderohet si kult në vendin e tij, në gjithë kontinentin afrikan dhe nga ana e shumë politikanëve anekënd botës. Mandela me të drejtë konsiderohet si politikan vizionar, i cili pas gati tri dekadave të kaluara në burg erdhi në pushtet dhe predikoi tolerancën, duke përbuzur dhunën dhe duke luftuar hakmarrjen ndaj pakicës së bardhë, e cila gjatë sundimit të saj i kishte shtypur brutalisht zezakët.
Një kontrast i madh mes natyrës paqedashëse të Mandelës dhe himneve të shteteve pjesëmarrëse, megjithatë, ekziston. Shumica e himneve vlojnë e gurgullojnë nga patosi dhe retorika luftarake. Një lexim i himneve të shteteve pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Futbollit (KBF) e dëshmon këtë.

“Zhurma e zinxhirëve”

Para se të luajë Algjeria lojtarët e këtij shteti do të këndojnë këto vargje: „Betohemi në rrufenë shkatërrimtare, që Algjeria të jetojë gjatë“. Magjistarët nga Argjentina do të thërrasin me zë të lartë: „Dëgjoni zhurmën e zinxhirëve të këputur, në fron qëndron barazia fisnike“. Nga këndi tjetër i botës, nga Australia e largët, do të jehojnë këto vargje: „Të lumtur të brohorasim, ne banorët e Australisë, sepse ne jemi të rinj dhe të lirë“. Himni i Brazilit i përshtatet mjaft mirë cilësisë së futbollit që luajnë futbollistët e këtij vendi: „Prej natyre je gjigant, ti je i bukur dhe i fuqishëm, kolos sypatrembur“. Fqinjët nga Kili do të recitojnë: „Andet madhështore të bardha si bora ti dha Zoti si kurorë mbrojtëse“. Himni i Danimarkës tingëllon kështu: „Një vend i dashur gjendet nën hijen e aheve të gjera buzë Detit të njelmët të Veriut, Danimarkë e Vjetër, kështu të quajnë“. Si përherë edhe në sport gjermanët janë racionalë: „Unitet dhe drejtësi dhe liri për atdheun gjerman!“ Anglezët do të bëjnë be e rrufe: „Zoti e ruajttë Mbretëreshën! Bëje atë ngadhënjimtare, të lumtur dhe të lavdishme, që ajo të na sundojë gjatë!“ Lojtarët e Bregut të Fildishtë do të këndojnë: „Legjionet tua guximtare kanë rikthyer dinjitetin tënd“. Francezët do të përbetohen: „A po e dëgjoni në ato vise ulërimën e luftëtarëve të ashpër? Ata po vërsulen për t’i prerë bijtë tuaj, bashkëshortet tuaja!“ Futbollistët nga Gana do t’ia thonë këngës: „Ngrini flamurin e Ganës dhe marshoni përpara me Afrikën!“. Grekët, ndonëse në krizë të rëndë financiare, së paku duhet ta belbëzojnë himni e tyre: „Ti që ke lindur plot mllef nga eshtrat e grekëve, të cilët këputen zgjedhën e skllevërve, liri e ëmbël, qofsh e përshëndetur!“
Futbollistët e Hondurasit do të recitojnë këto vargje: „Pesë yje të kaltërsisë së venitur, në stemën tënde një det i stuhishëm“. Luftarak është himni i Italisë: „T’i shtrëngojmë radhët, ne jemi të gatshëm për vdekje“. Japonezët do t’i drejtohen Perandorit: „Sundimtar, pushteti juaj rroftë me mijëra gjenerata…derisa guri të bëhet shkëmb“. Nga Kameruni do të dëgjojmë këtë varg: „Atdhe i dashur, asnjë gjuhë s’mund ta thotë rëndësinë tënde!“ Mjaft gjaknxehtë do të jenë meksikanët, së paku gjatë këndimit të himnit: „Meksikanë, me brohoritje në luftë, gati çelikun dhe atin e guximshëm, që toka të dridhet në brendinë e saj“. Nga vargjet e himnit të Koresë së Veriut kuptohet se fjala është për një vend komunist: „Atdheu im i dashur. Merita e një populli të mençur solli një kulturë madhështore“. Në himnin e Zelandës së Re dominon toni pothuaj mesjetar: „Madhëri e betejave, degdisi me fuqinë tënde armiqtë tanë“.

“Kur përskuqet bora…”

Jo shumë spektakular është himni holandez: „Wilhelm von Nassau jam unë, me gjak gjerman, atdheut i qëndroj besnik deri në vdekje“. Nigerianët, ndërkaq, do të nxjerrin këtë tingull: „Çohuni bashkëkombës, dëgjoni thirrjen e Nigerisë për t’i shërbyer atdheut“. Shkurt dhe qartë është mesazhi nga himni i Paraguait: „Unitet dhe barazi. Paraguaias, Republikë ose vdekje!“ Portugezët, një komb detarësh, do të këndojnë: „Heronj të detit. Ngrini flamurin e pamposhtur në dritën e ndezur të qiellit tuaj!“ Në himnin e Zvicrës nuk mungojnë alpet: „Kur përskuqet bora e përjetshme e alpeve, lutuni, zviceranë të lirë, lutuni“. (Këtë himn do ta këndojnë edhe tre kosovarë, që luajnë për ekipin e këtij vendi, Valon Behrami nga Mitrovica dhe Gjerdan Shaqiri e Albert Bunjaku nga Gjilani. Sikur të luanin për Kosovën nuk do kishin çfarë të këndonin, sepse himni i Republikës nuk ka tekst).
Paksa qesharak tingëllon himni serb: „Me dorën e fuqishme drejtoje, mbroje anijen e ardhmërisë serbe“. Siç dihet Serbia, përkundër disa luftërave që ka zhvilluar për pushtimin e vendeve fqinje, nuk ka dalje në det. Sllovakët, aleatë të serbëve në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, do të brohorasin: „Po vetëtin mbi Tatra, bubullimat po gjëmojnë ashpër… sllovakët po ringjallen“. Si ilaç për shpirt tingëllon himni slloven: „Miq, vreshta sërish na ka dhuruar pije të ëmbël, forcëdhënëse, e cila gjallëron pulsin tonë“. Spanjollët s’kanë çfarë të këndojnë, sepse himni i tyre „Marcha Real“ („Marshi mbretëror“) nuk ka tekst. Nikoqirët jugafrikanë do të këndojnë: „Jehon zëri i barazisë, të gjithë së bashku qëndrojmë, për liri jetojmë dhe luftojmë“. Futbollistët nga Korea e Jugut do të recitojnë: „Sikur pisha e pamposhtur në kodrën Namsan, sikur zëri i pandryshueshëm i frymës, ashtu qoftë karakteri ynë“. Himni i Uruguait përmban, mes tjerash, këtë varg: „Liri ose vdekje me fytyrë“. Jo aq frymëzues tingëllon himni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës: „Dhe shkreptima e kuqe e fishekzjarreve, pëlcitja e bombave në ajër, dëshmojnë gjatë natës se flamuri ynë ishte këtu“.

“Perëndi, bekoje Afrikën“

Gjak, luftë, çelik – në bazë të përmbajtjes së himneve, të cilat do t’i këndojnë lojtarët dhe shikuesit nëpër stadiume, kafeteri dhe dhoma dite gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit, lehtë krijohet përshtypja se retorika e përgjakshme është pjesë e futbollit. Të shpresojmë të mos jetë ashtu gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut. Një varg tjetër në himnin e Afrikës së Jugut tingëllon kështu: „Perëndi, jepu fund luftërave dhe ngatërresave. Perëndi, bekoje Afrikën“.
Për një bekim të tillë Afrika e Jugut ka nevojë urgjente. Ky vend ende ballafaqohet prej vitesh është i pllakosur nga krimi dhe dhuna. Disa vende perëndimore kanë shprehur shqetësim mbi gjendjen e keqe të sigurisë. Këtë javë afër Johanesburgut persona të panjohur sulmuan një grup gazetarësh evropianë, të cilët po qëndrojnë në këtë qytet për të raportuar nga Kampionati Botëror i Futbollit. Përkundër këtij incidenti presidenti i nderit i klubit gjerman Bayern München, Franz Beckenbauer, është optimist se gjithçka do të shkojë mbarë gjatë kampionatit. Për mediat gjermane ai ka thënë: „Afrika e Jugut mundet, Afrika e Jugut është e gatshme. Kur të fillojnë ndeshjet të premten, atëherë të gjithë do të jenë të koncentruar te futbolli“. Ashtu qoftë!

Copyright: E.R. & “Koha Ditore”, Prishtinë

Popularity: 1% [?]

Leave a Reply

  • Popular
  • Latest
  • Comments
  • Tags
  • Subscribe
Advertise Here

Our Flickr Photos - See all photos

Morcheeba Concert in Prishtina-134

Morcheeba Concert in Prishtina-133

Morcheeba Concert in Prishtina-132

Morcheeba Concert in Prishtina-131

Morcheeba Concert in Prishtina-130

Morcheeba Concert in Prishtina-129

Morcheeba Concert in Prishtina-128

Morcheeba Concert in Prishtina-127

Morcheeba Concert in Prishtina-126

Morcheeba Concert in Prishtina-125

Morcheeba Concert in Prishtina-124

Morcheeba Concert in Prishtina-123