Është kënaqësi e imja të jem këtu këtë mëngjes që shkurtimisht të flasë për ndryshimet e propozuara në Ligjin Administrata Tatimore dhe Procedurat, Ligji 2004/48. Ligji i tanishëm i ka shërbyer Administratës Tatimore qysh nga hyrja e tij në fuqi më 1 Maj 2005. Megjithatë, sikurse me shumë ligje, koha ka treguar se ndryshimet janë të nevojshme për të freskuar procedurat me qëllim të plotësimit të kërkesave të kohës si për Administratën Tatimore ashtu edhe për shoqërinë tonë.
Projekt-ligji që është tash para jush është rezultat i përpjekjes së përbashkët afat-gjate në mes të Administratës Tatimore, këshilltarëve ndërkombëtar dhe shoqatave të biznesit. Ndryshimet në ligj janë bazuar në nevojat e identifikuara nga Administrata Tatimore dhe komuniteti i biznesit për të përmirësuar kapacitetet e ATK-së për administrimin më të mirë të ligjeve tatimore. Është i përpiluar të adresojë rregullat joefektive dhe zbrazëtitë që lidhen me procedurat mbi vjeljet e tatimeve dhe vlerësimet e detyrimeve tatimore që kanë shkaktuar vështirësi në administrimin e sistemit tatimor, si dhe çështje tjera procedurale. Një kornizë e plotë dhe e duhur krijon kushte për administratë efektive të sistemit tatimor dhe rrit të hyrat tatimore.
Projekt-ligji është rishikuar me kujdes nga Qeveria dhe debatet që kanë ndodhur në Qeveri për këtë ligj kanë rezultuar në një ligj i cili besojmë se meriton mbështetje të plotë të Kuvendit. Ligji është rishikuar nga ekspertë ligjor të BE-së dhe është konsideruar se plotëson standardet e BE-së.
Një administratë tatimore efektive kërkon një bazë ligjore që merr parasysh jo vetëm nevojat e administrimit, por gjithashtu nevojat e shoqërisë në pagimin e tatimeve. Ne besojmë se ky projekt-ligj rrënjos një balancë të përshtatshme në mes të dy interesave. Një sistem tatimor në një vend demokratik, sikurse është Kosova, është i bazuar në përmbushjen vullnetare të tatimpaguesve të vet. Tatimpaguesve iu është dhënë obligimi për të plotësuar kërkesat për dorëzimin e deklaratave të tyre dhe pagimit të shumës së duhur të obligimit tatimor në kohë të duhur. Është obligim i Administratës Tatimore dhe Qeverisë për ta bërë sa më të lehtë që të jetë e mundur për tatimpaguesit të përmbushin obligimet e tyre, kurse në të njëjtën kohë parashohin metoda të duhura detyruese për të përsiguruar se ata tatimpagues të cilët zgjedhin të mos përmbushin obligimet e tyre do të merren masa ne mënyrë të vendosur dhe të duhur. Nuk është e drejtë për tatimpaguesit e ndershëm të paguajnë për ata të cilët duan të shmangin obligimet e tyre. Prandaj është e nevojshme të parashihen masa adekuate detyruese për administratën tatimore. Një sistem i tillë do të përsigurojë që Qeveria të jetë në gjendje të vjelë të hyrat e nevojshme për të plotësuar nevojat e qytetarëve, dhe do të përsigurojë që shoqëria të fitojë respektin për organet e shtetit, përfshirë Administratën Tatimore.
E përmenda se ky projekt-ligj rrënjos një balancë të duhur në mes të interesave të tatimpaguesve dhe administratës. Nuk synoj që këtë mëngjes të shqyrtoj secilin nen të projekt-ligjit, por dëshiroj të cek disa fusha për të demonstruar se ky projekt-ligj adreson shqetësimet si të tatimpaguesve, të cilët në thelb përbëjnë bashkësinë e bizneseve, ashtu edhe të administratës.
Për bizneset:
• Ndryshim i strukturës së ndëshkimeve me uljen e shumave ndëshkimore dhe racionalizimin e ndëshkimeve ashtu që të ketë sa më pak raste në të cilat aplikohen ndëshkime të dyfishta për të njëjtën shkelje
• Ndryshim i aplikimit të pagesave ashtu që pagesat e pranuara do të aplikohen së pari tek shpenzimet e vjeljes, mandej në tatim dhe pastaj në ndëshkime dhe interes.
• Dispozitë që parimet e Model Konventës së OECD-së mbi të Ardhurat dhe Kapitalin të aplikohen në situata kur legjislacioni ekzistues i Kosovës nuk merret si duhet me çështjet të tatuarjes ndërkombëtare, sikurse është çmimi i transferit, atribuimi i fitimeve të njësisë së përhershme, etj.
• Autorizim për Administratën Tatimore të lëshojë numër fiskal ndarazi nga numri i regjistrimit të bizneseve
• Autorizim për të çaktivizuar bizneset të cilat më nuk janë të angazhuara më në veprimtari ekonomike
• Autorizim për të tërhequr çdo certifikatë të lëshuar nga administrata tatimore në rast të mos-përmbushjes së vazhdueshme të ligjeve tatimore
• Autorizim për të paraqitur arkat fiskale
• Autorizim për ATK-në të vendosë një komision që do të jetë në gjendje të rishikojë kërkesat e tatimpaguesve për lirim nga ndëshkimet në rastet e shkaqeve të arsyeshme apo pamundësisë për të plotësuar kërkesat e përmbushjes për arsyet që janë përtej kontrollit të tatimpaguesit.
Sikurse u cek, këto janë vetëm disa pika kryesore. Disa prej jush mund të pyesni se si ato i bëjnë mirë tatimpaguesit. Fakti se Kosova ka shkallë të lartë të ekonomisë së hirtë, që nënkupton se ekziston një vëllim i konsiderueshëm i veprimtarive ekonomike që kryhen në Kosovë e nuk i nënshtrohen tatimeve. Kjo nuk është e drejtë për ato biznese në Kosovë që mundohen të jenë qytetar të mirë dhe të plotësojnë obligimet e tyre tatimore. Kjo ka ndikim të madh negativ në mundësinë që Kosova të përmirësojë ekonominë e vet dhe negativisht ndikon në mundësinë për të bërë reformë të vërtetë fiskale. Nëse do të jemi në gjendje të ulim përmasat e ekonomisë së hirtë, do të kemi mundësinë të ulim shkallët tatimore pa ulur të hyrat për shtetin.
Për Administratën Tatimore:
• Autorizim për të vendosur një funksion të hetimeve kriminale në ATK
• Rritje e autorizimit për Zyrën e Standardeve Profesionale për të hetuar akuzat e korrupsionit apo sjelljes së pavend nga zyrtarët e ATK-së
• Mundësi e shtuar për t’u marrë me mallrat pa origjinë
• Qartësim në të drejtën e ATK-së për të marrë informata nga bankat
• Përmirësim i autorizimit për ATK-në të vjelë borxhet
• Kërkesë që transaksionet biznes-biznes mbi një shumë të caktuar të bëhen përmes transfereve bankare
• Kërkesë për një raport vjetor për blerjet nga i njëjti furnizues në shumë më të lartë se 500 euro.
Sërish, këto janë vetëm disa pika kryesore që lidhen me shtimin e mundësisë për administratën tatimore të zbatojë ligjet dhe të administrojë sistemin në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Administrata tatimore e merr shumë seriozisht rolin e vet dhe pranon përgjegjësinë që ka ashtu që të zbatojë si duhet autorizimet që tash i ka, si dhe çdo autorizim të ri i përfshirë në këtë ligj. Tash është në proces të themelimit të pozitës së avokatit të tatimpaguesit përbrenda Administratës Tatimore për t’u marrë me shqetësimet që mund t’i kenë tatimpaguesit për mënyrën si administrohet ligji apo mungesën e dhënies së përgjigjeve mbi çështjet që ata kanë ngritur. Gjithashtu pranon se do të ketë numër të madh të akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e shumë dispozitave të këtij ligji.
Donatorët janë duke ofruar këshilltarë ndërkombëtar për të ndihmuar në hartimin e këtyre akteve nën-ligjore dhe për të ndihmuar në trajnimin e personelit të ATK-së që është përgjegjës për zbatimin e dispozitave të ligjit.
Ne besojmë se ky ligj do t’i shërbej mjaft komunitetit të biznesit dhe Qeverisë në vitet e ardhshme ndërsa ne vazhdojmë tranzicionin tonë si një komb i lirë dhe i pavarur. Kërkojmë mbështetjen tuaj në këtë projekt dhe shpresojmë se do të veproni shpejtë dhe të miratoni këtë ligj.
Ju faleminderit.
Popularity: 2% [?]


















