Categorized | Kyesore-Featured

Shenjat e pajtimit dhe plagët e zemërimit


srebrenica-bosnia

Në 15-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë: Pajtimi mes popujve në Ballkan është i domosdoshëm, por së pari duhet të bëhet dallimi mes viktimës dhe agresorit, e mbi të gjitha duhet të arrestohet Ratko Mladiqi, i cili i cytur nga ndjenjat raciste, nga urrejtja etnike dhe religjioze urdhëroi masakrimin e tetë mijë myslimanëve të Bosnjës

Enver Robelli

Toponimi Srebrenicë qëmoti është shkëputur nga qyteti i vogël në lindje të Bosnjës. Ky toponim është shndërruar në simbol tmerri për masakrën më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Aksioni vrastar i forcave serbe kishte për qëllim asgjësimin e një populli të tërë, në rastin konkret të myslimanëve të Bosnjës. Brenda pak ditësh në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë u ekzekutuan rreth tetë mijë djem dhe burra. Kufomat e tyre u hodhën në varreza masive, pastaj, për të zhdukur gjurmët e krimit, trupat serbe i groposën viktimat në varreza të ashtuquajtura sekondare. Drejtësia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e ka kualifikuar masakrën e Srebrenicës si gjenocid, krimi më i madh dhe final që njihet në terminologjinë juridike. Për viktimat e Srebrenicës, për gjithë ato nëna të mbijetuara kualifikimi i masakrës si gjenocid është një satisfaksion, një ngushëllim i vogël. Myslimanët e kthyer në Srebrenicë sot jetojnë në një qytet të goditur nga terrori, ku pushtuesit serbë faktikisht e kanë marrë pushtetin. Sipas Marrëveshjes së Daytonit rajoni i Srebrenicës i përket Republika Srpskës, në themelet e së cilës qëndron gjaku i myslimanëve të pafajshëm.
Pesëmbëdhjetë vjet pas krimit masiv të dielën mijëra njerëz përkujtuan viktimat. Kësaj radhe në Potoçari afër Srebrenicës u varrosën mbetjet mortore të 775 personave. Kështu numri i viktimave të identifikuara arriti në 4515 njerëz. Në mesin e të varrosurve ishin edhe Rijad Gabeliqi dhe Mehmed Varnica, të cilët në vitin 1995 ishin vetëm 14-vjeçar. Mes viktimave të varrosura ishte edhe Rudolf Hren, një kroat, familja e të cilit jetonte në Srebrenicë.

Retorika „po, por..“

Në ceremoninë e së dielës mori pjesë edhe kryetari i Serbisë Boris Tadiq, vendi i të cilit në vitet 90-të kishte marrë pjesë në copëtimin e Bosnjës. Sipas hulumtimeve më të reja lufta ua mori jetën rreth 100 mijë njerëzve, ndërsa 2,2 milionë të tjerë i bëri refugjatë. Ata sot jetojnë të shpërndarë nëpër botë. Prania e Tadiqit, i cili për herë të parë në Srebrenicë ka qenë në vitin 2005, në 10-vjetorin e masakrës, tregon se së paku në mesin e politikanëve drejtues të Serbisë dalëngadalë po ndryshon diçka. Masakra e Srebrenicës prej tyre nuk minimizohet dhe nuk mohohet, parlamenti serb në fund të marsit miratoi një rezolutë, me të cilën e dënon krimin. Ndonëse dokumenti i parlamentit serb nuk e përmend nocionin gjenocid, megjithatë ai është një hap i vogël përpara në krahasim me politikën e neveritshme serbe të mohimit të krimeve. Për këto krime në Serbi ka ekzistuar një pajtim i shoqërisë. Grupet paqësore dhe properëndimore kanë qenë të pafuqishme për të ndryshuar këtë konsensus. Njëri prej këshilltarëve të Radovan Karaxhiqit gjatë luftës në Bosnjë ka qenë edhe filozofi Lubomir Tadiq, i ati i presidentit Boris Tadiq. Ndonëse Serbia nuk mund ta mohojë masakrën në Srebrenicë, prapëseprapë dominon retorika „po, por…“! Domethënë: Krime ndaj boshnjakëve janë kryer, por edhe serbët kanë qenë viktima. Kjo retorikë e numërimit të ndërsjellët të viktimave synon barazimin e fajit dhe është e dëmshme për pajtimin në Ballkan. Srebrenica, rrethimi i Sarajevës, dhunimet masive në Vishegrad, kampet e torturës në Omarska janë krime singulare të konfliktit në Bosnjë. Prapa tyre qëndron ideologjia neofashiste serbe për krijimin e një shteti etnikisht „të pastër“ nga bregdeti i Dalmacisë deri në Maqedoni. Retorika „po, por…“ refuzon të pranojë përgjegjësinë për krimet dhe e barazon viktimën (boshnjake) me agresorin (serb).
Politikanët boshnjakë theksojnë se rezoluta e parlamentit serb është vetëm një manovër politike për të përshpejtuar integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Fakti që ende nuk është arrestuar Ratko Mladiqi, përgjegjësi kryesor për krimin masiv në Srebrenicë, tregon se Beogradi nuk është plotësisht i gatshëm të ballafaqohet me të kaluarën e errët. Tani në Serbi ekziston vullneti politik për arrestimin e tij, por skandaloze është se Mladiqi me vite të tëra ka jetuar i lirë në Beograd.

„Merrni ju myslimanët!“

Vala e re e pajtimit në Ballkan së fundi është iniciuar nga kryetari i Kroacisë Ivo Josipoviq, jo nga Boris Tadiqi. Që nga inaugurimi i tij si president para 5 muajve Josipoviq ka vizituar dy herë Bosnjën. Në një fjalim para parlamentit në Sarajevë ai ka kërkuar falje për rolin e Kroacisë gjatë luftës në Bosnjë dhe, në këtë mënyrë, ka shkatërruar legjendën se Zagrebi gjatë viteve 90-të kishte zhvilluar vetëm një luftë mbrojtëse. Ditarët e Ratko Mladiqit, të cilët janë zbuluar së fundi në banesën e tij në Beograd, përmbajnë hollësi interesante mbi bashkëpunimin e ngushtë mes forcave serbe dhe kroate për shkatërrimin e Bosnjës. Sipas shënimeve të Mladiqit kryetari i atëhershëm i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiq kishte kërkuar t’u ndihmohet kroatëve për t’i detyruar myslimanët për ndarjen e Bosnjës. „Ne ua ofruam të gjithë (myslimanët) kroatëve, por (kryetari i atëhershëm kroat Franjo) Tuxhmani u përgjigj: Merrni ju“. Ky dialog tregon se me çfarë cinizmi krerët e luftës kanë vendosur mbi fatin e qindra-mijëra njerëzve.
Mund të tingëllojë paradoksale, por afrimin mes popujve në Ballkan e ka favorizuar edhe kriza e madhe që ka përfshirë ekonominë botërore dhe zbehja e shpresave për anëtarësim të shpejtë të rajonit në Bashkimin Evropian. Politikanët udhëheqës në Zagreb, Sarajevë dhe Beograd e kanë kuptuar gjatë muajve të fundit më shumë se kurrë se ata së pari duhet të ballafaqohen me të kaluarën e përgjakshme dhe të bashkëpunojnë ngushtë në aspektin politik dhe ekonomik, para se të trokasin në portën e Bashkimit Evropian.

Demonët e se kaluarës

Derisa Ivo Josipoviq dhe deri diku edhe homologu i tij serb Boris Tadiq po përpiqen ta çlirojnë vendin nga demonët e se kaluarës, në republikën e serbëve të Bosnjës ende mohohet gjenocidi në Srebrenicë. Pikërisht në 15-vjetorin e masakrës i akuzuari për krime lufte Radovan Karaxhiq nga partia e tij u nderua me një dekoratë. Një provokim tjetër e organizoi gjatë fundjavës kryeministri i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik. Afër Banjallukës ai zbuloi bustin e gjeneralit ndërkohë të vdekur Momir Taliq, i cili ka qenë i akuzuar për krime lufte. Po ashtu Republika Srpska refuzon të pranojë 11 korrikun si ditë përkujtimore për viktimat e Srebrenicës.
Larg politikës ditore dhe kërkimfaljes si kusht për pajtim në Ballkan mbetet arrestimi i Ratko Mladiqit, i cili i cytur nga ndjenjat raciste, nga urrejtja etnike dhe religjioze urdhëroi masakrimin e tetë mijë myslimanëve të Bosnjës. Gjatë marshimit në Srebrenicë Mladiqi para kamerave kishte thënë: „Në prag të një feste tjetër të madhe serbe këtë qytet po ia japim popullit serb si dhuratë; më në fund erdhi momenti (…) që t’iu hakmerrem turqve në këtë rajon“. Nacionalistët serbë i quanin boshnjakët turq për shkak se ata gjatë sundimit osman kishin kaluar në fenë islame.
Serbët e morën Srebrenicën si dhuratë nga gjenerali Mladiq. Por, kjo dhuratë paraqet kapitullimin moral të kombit serb para të keqes. Kjo dhuratë i ka mbetur Serbisë në dorë si patate e nxehtë. Në të ardhmen do të varet shumë nga politikanët udhëheqës në Beograd nëse vërtet dëshirojnë të shkëputen nga e kaluara, duke u ballafaquar me përmasat dhe me monstruozitetin e krimit në Srebrenicë. Edhe sivjet demonët e së kaluarës treguan se janë gjallë në Beograd. Derisa në Srebrenicë bëheshin përgatitjet e fundit për varrosjen e mbi 700 kufomave, në kryeqytetin e Serbisë lëvizja fashiste „Obraz“ ngjiti nëpër mure pllakate, të cilët madhëronin 15-vjetorin e „çlirimit të Srebrenicës“.

Copyright: E.R. & “Koha Ditore”, Prishtinë

Popularity: 1% [?]

Leave a Reply

  • Popular
  • Latest
  • Comments
  • Tags
  • Subscribe
Advertise Here

Our Flickr Photos - See all photos

Morcheeba Concert in Prishtina-134

Morcheeba Concert in Prishtina-133

Morcheeba Concert in Prishtina-132

Morcheeba Concert in Prishtina-131

Morcheeba Concert in Prishtina-130

Morcheeba Concert in Prishtina-129

Morcheeba Concert in Prishtina-128

Morcheeba Concert in Prishtina-127

Morcheeba Concert in Prishtina-126

Morcheeba Concert in Prishtina-125

Morcheeba Concert in Prishtina-124

Morcheeba Concert in Prishtina-123